Akterët e sektorit të energjisë
Rregullatori
Zyra e Rregullatorit për Energji
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) është organ rregullator i pavarur. Funksioni i tij kryesor është që t’i rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, duke përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në përputhje me obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Autoriteti i ZRrE-së përfshin dhënien e licencave dhe monitorimin nëse këto licenca respektohen nga kompanitë energjetike, aprovimin e tarifave për aktivitetet e shërbimeve publike, vendosjen e obligimeve për furnizimin publik, ofrimin e zgjidhjes së kontesteve dhe hartimin e akteve nënligjore për sektorin e energjisë.
ZRrE-ja është gjithashtu përgjegjëse për krijimin e kornizës rregullative, e cila siguron funksionim transparent dhe jodiskriminues të tregut të energjisë bazuar në parimet e tregut të lirë. Ajo zbaton kritere transparente dhe të hapura për dhënien e licencave për ndërmarrjet energjetike, duke përfshirë autorizimin për të dhënë, modifikuar, pezulluar, transferuar, tërhequr, mbikëqyrur dhe kontrolluar nëse ndërmarrjet energjetike veprojnë në përputhje me licencat dhe obligimet që i kanë marrë.
RRJETI
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut sh.a. (KOSTT) është operator i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës. KOSTT-i është operatori i pavarur i transmisionit në Kosovë. KOSTT është një operator i sistemit të transmisionit në pronësi publike dhe është ndarë plotësisht përmes ndarjes së pronësisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ai e menaxhon transmisionin e energjisë elektrike, stabilitetin e rrjetit, tregtinë ndërkufitare, zhvillimin dhe pjesëmarrjen në tregjet e energjisë elektrike.
KOSTT-i e menaxhon sistemin e transmisionit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Transformatorët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes: 220/35//10 kV dhe 110/35/10 (20) kV po ashtu i përkasin sistemit të transmisionit. Përgjegjësia e KOSTT-it është që ta transmetojë energjinë elektrike në mënyrë të sigurt dhe të besueshme nga njësitë gjeneruese në sistemin e shpërndarjes, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Kosovë (KEDS)
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Kosovës sh.a. (KEDS) është operatori i sistemit të shpërndarjes në pronësi private në Kosovë. Ai është përgjegjës për funksionimin, mirëmbajtjen dhe, sipas nevojës, zhvillimin e sistemit të shpërndarjes në një zonë të caktuar; gjenerimin e ndërlidhësve të mundshëm të tij me sisteme të tjera; dhe sigurimin e kapaciteteve për sistemin afatgjatë për të arritur energji elektrike të arsyeshme.
Divizionet e shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS) janë ndarë dhe privatizuar nga KEK-u në maj të vitit 2013 dhe janë në pronësi dhe operim të konsorciumit turk Çalik Holding dhe Limak. Është operatori i vetëm i sistemit të shpërndarjes në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kah fundi i vitit 2014, KEDS-i u nda nga divizioni i furnizimit (KESCO), duke e hapur kështu rrugën për hapjen e tregut përmes futjes së furnizuesve të tjerë në treg. KEDS-i bën shpërndarjen e energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit dhe menaxhon e mirëmban asetet në terren. Në kuadër të KEDS-it janë të përfshira te gjitha linjat e energjisë elektrike të tensionit të mesëm, tensionit të ulët dhe trafostacionet përkatëse me stabilimentet përcjellëse.
Furnizuesit
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO)
Kompania Kosovare e Furnizimit me Energji Elektrike (KESCO) është organizatë private për shërbimin e shpërndarjes dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.
Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike e Kosovës është themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumi Limak-Çalik dhe mban përgjegjësinë e furnizimit publik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Roli kryesor i KESCO-s është t’i furnizojë me energji elektrike konsumatorët e fundit, të merret me faturim dhe inkasim dhe të ofrojë një varg shërbimesh për konsumatorë. KESCO u shërben mbi 600 mijë konsumatorëve, ndërsa shërbimet janë të shpërndara në të gjitha qytetet e Kosovës, të cilat koordinohen nga shtatë qarqe kryesore.
Gjeneruesit
Korporata Energjetike e Kosovës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është ndërmarrje publike e prodhimit të energjisë elektrike në pronësi të plotë të qeverisë, e integruar vertikalisht, e cila i zotëron dhe operon termocentralet me linjit Kosova A dhe Kosova B dhe minierat përkatëse të linjitit. Termocentrali Kosova A është termocentral që ka filluar operimin në vitin 1962 me gjithsej pesë njësi gjeneruese. Ky termocentral ka tre njësi në operim me kapacitet të instaluar prej 610 MW. Termocentrali Kosova B është termocentral me linjit me dy blloqe me kapacitet të përgjithshëm prej 680 MW. Është hapur në vitin 1983 dhe aktualisht të dyja njësitë janë funksionale.
Ngrohja qendrore
Termokosi
Termokosi është furnizues lokal i ngrohjes qëndrore në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë. Është përgjegjës për funksionimin dhe mirëmbajtjen e kaldajave dhe rrjetit primar deri tek shkëmbyesit e nxehtësisë në trafostacione. Është themeluar në vitin 1970 dhe monitorohet nga Komuna e Prishtinës.
Ngrohtorja e Gjakovës
Krahas ngrohtores në Prishtinë, në vitin 2021, në qytetin e Gjakovës filloi funksionimin edhe një central i ri i kogjenerimit, i bazuar në biomasë të qëndrueshme nga mbeturinat e drurit dhe prerjet e hardhisë. Ky impiant shërben për ngrohjen qendrore për konsumatorët komercial dhe rezidencial në qytetin e Gjakovës.