Pasqyrë e përgjithshme

Qeveria e Kosovës e ka caktuar si prioritet modernizimin dhe përmirësimin e sektorit energjetik të vendit me fokus në zgjerimin dhe dekarbonizimin e energjisë së ripërtëritshme. Kosova po bashkëpunon ngushtë me partnerët e vet për zhvillim, duke përfshirë USAID-in, Bankën Botërore, Komisionin Evropian, BERZh-in, IFC-në dhe KfW-në, si dhe donatorët e tjerë, organizatat dhe sektorin privat, për mbështetje dhe ndihmë.

Sistemi aktual i energjisë elektrike i Kosovës kërkon investime, përmirësim dhe rizhvillim, çfarë paraqet sfida të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Kufizimet e energjisë i pengojnë investimet dhe prodhimin, arsimin dhe shërbimet shëndetësore. Shumë qytetarë vazhdojnë të përdorin dru zjarri dhe qymyr për ngrohje dhe gatim, gjë që shkakton ndotje të ajrit e që pastaj shkakton probleme të frymëmarrjes dhe probleme shëndetësore të tjera.

Kosova është e përkushtuar që t’i zgjidhë mungesat e saj të energjisë përmes një strategjie gjithëpërfshirëse që përfshin rritjen e efiçiencës së energjisë, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, integrimin në tregjet rajonale të energjisë dhe mbështetjen për një gjenerim të ri të energjisë që është i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përballueshëm për qytetarët.

Në mbarë botën, kushtet e furnizimit me energji ndryshojnë, ndërsa secili vend e përcakton mënyrën më të mirë për t’i përmbushur aspiratat e veta për energji. Opsionet e furnizimit me energji elektrike në Kosovë janë shumë të kufizuara, për shkak të disponueshmërisë modeste të burimeve të ripërtëritshme të realizueshme, stabilimenteve të vjetruara dhe jo të besueshme të prodhimit me linjit, mungesës së furnizimit në vendet fqinje (veçanërisht gjatë kërkesës së pikut, që e kufizon aftësinë e Kosovës për të importuar energji elektrike) dhe mungesës së çfarëdo burimi të gazit natyror apo infrastrukture për të importuar gaz.

Në vitet e fundit, kërkesa për energji elektrike e ka tejkaluar për shumë herë ofertën – sfidë kjo që pritet të përkeqësohet me dekomisionimin e një prej termocentraleve kryesore të linjitit (Kosovës A), i cili e siguron rreth një të tretën e prodhimit vendor të energjisë elektrike. Muajt e dimrit janë dëshmuar veçanërisht të vështirë, meqë kërkesa e tejkalon prodhimin.

Qeveria e Kosovës synon ta vë sektorin energjetik të saj në një rrugë të qëndrueshme, duke e zhvilluar potencialin për energji të ripërtëritshme, duke e përmirësuar efiçiencën e energjisë, duke e bërë një tranzicion nga termocentrali i saj pesëdhjetëvjeçar dhe duke e rehabilituar përkohësisht një termocentral tjetër të vjetër. Qeveria po ashtu dëshiron të sigurojë që të ruhet përballueshmëria e energjisë elektrike, duke pasur parasysh shkallën e lartë të varfërisë dhe papunësisë në vend.

Burimi: Banka Botërore