Akterët e sektorit të energjisë

Rregullatori

Zyra e Rregullatorit për Energji

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) është organ rregullator i pavarur. Funksioni i tij kryesor është që t’i rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, duke përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në përputhje me obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Autoriteti i ZRrE-së përfshin dhënien e licencave dhe monitorimin nëse këto licenca respektohen nga kompanitë energjetike, aprovimin e tarifave për aktivitetet e shërbimeve publike, vendosjen e obligimeve për furnizimin publik, ofrimin e zgjidhjes së kontesteve dhe hartimin e akteve nënligjore për sektorin e energjisë.

ZRrE-ja është gjithashtu përgjegjëse për krijimin e kornizës rregullative, e cila siguron funksionim transparent dhe jodiskriminues të tregut të energjisë bazuar në parimet e tregut të lirë. Ajo zbaton kritere transparente dhe të hapura për dhënien e licencave për ndërmarrjet energjetike, duke përfshirë autorizimin për të dhënë, modifikuar, pezulluar, transferuar, tërhequr, mbikëqyrur dhe kontrolluar nëse ndërmarrjet energjetike veprojnë në përputhje me licencat dhe obligimet që i kanë marrë.

Vizitojeni faqen e internetit

RRJETI

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT)

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut sh.a. (KOSTT) është operator i sistemit, transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës. KOSTT-i është operatori i pavarur i transmisionit në Kosovë. KOSTT është një operator i sistemit të transmisionit në pronësi publike dhe është ndarë plotësisht përmes ndarjes së pronësisë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ai e menaxhon transmisionin e energjisë elektrike, stabilitetin e rrjetit, tregtinë ndërkufitare, zhvillimin dhe pjesëmarrjen në tregjet e energjisë elektrike.

KOSTT-i e menaxhon sistemin e transmisionit të Republikës së Kosovës duke operuar me nivele të tensionit të lartë 400 kV, 220 kV dhe 110 kV. Transformatorët e lidhur në rrjetin e shpërndarjes: 220/35//10 kV dhe 110/35/10 (20) kV po ashtu i përkasin sistemit të transmisionit.  Përgjegjësia e KOSTT-it është që ta transmetojë energjinë elektrike në mënyrë të sigurt dhe të besueshme nga njësitë gjeneruese në sistemin e shpërndarjes, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Vizitojeni faqen e internetit

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Kosovë (KEDS)

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Kosovës sh.a. (KEDS) është operatori i sistemit të shpërndarjes në pronësi private në Kosovë. Ai është përgjegjës për funksionimin, mirëmbajtjen dhe, sipas nevojës, zhvillimin e sistemit të shpërndarjes në një zonë të caktuar; gjenerimin e ndërlidhësve të mundshëm të tij me sisteme të tjera; dhe sigurimin e kapaciteteve për sistemin afatgjatë për të arritur energji elektrike të arsyeshme.

Divizionet e shpërndarjes dhe furnizimit (KEDS) janë ndarë dhe privatizuar nga KEK-u në maj të vitit 2013 dhe janë në pronësi dhe operim të konsorciumit turk Çalik Holding dhe Limak.  Është operatori i vetëm i sistemit të shpërndarjes në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kah fundi i vitit 2014, KEDS-i u nda nga divizioni i furnizimit (KESCO), duke e hapur kështu rrugën për hapjen e tregut përmes futjes së furnizuesve të tjerë në treg. KEDS-i bën shpërndarjen e energjisë elektrike deri te konsumatori i fundit dhe menaxhon e mirëmban asetet në terren. Në kuadër të KEDS-it janë të përfshira te gjitha linjat e energjisë elektrike të tensionit të mesëm, tensionit të ulët dhe trafostacionet përkatëse me stabilimentet përcjellëse.

Vizitojeni faqen e internetit

Furnizuesit

Kompania për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO)

Kompania Kosovare e Furnizimit me Energji Elektrike (KESCO) është organizatë private për shërbimin e shpërndarjes dhe faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë.

Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike e Kosovës është themeluar në janar të vitit 2015 nga konsorciumi Limak-Çalik dhe mban përgjegjësinë e furnizimit publik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Roli kryesor i KESCO-s është t’i furnizojë me energji elektrike konsumatorët e fundit, të merret me faturim dhe inkasim dhe të ofrojë një varg shërbimesh për konsumatorë. KESCO u shërben mbi 600 mijë konsumatorëve, ndërsa shërbimet janë të shpërndara në të gjitha qytetet e Kosovës, të cilat koordinohen nga shtatë qarqe kryesore.

Vizitojeni faqen e internetit

Gjeneruesit

KEK-Logo

Korporata Energjetike e Kosovës

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është ndërmarrje publike e prodhimit të energjisë elektrike në pronësi të plotë të qeverisë, e integruar vertikalisht, e cila i zotëron dhe operon termocentralet me linjit Kosova A dhe Kosova B dhe minierat përkatëse të linjitit. Termocentrali Kosova A është termocentral që ka filluar operimin në vitin 1962 me gjithsej pesë njësi gjeneruese. Ky termocentral ka tre njësi në operim me kapacitet të instaluar prej 610 MW. Termocentrali Kosova B është termocentral me linjit me dy blloqe me kapacitet të përgjithshëm prej 680 MW. Është hapur në vitin 1983 dhe aktualisht të dyja njësitë janë funksionale.

Vizitojeni faqen e internetit

Ngrohja qendrore

Termokosi

Termokosi është furnizues lokal i ngrohjes qëndrore në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë. Është përgjegjës për funksionimin dhe mirëmbajtjen e kaldajave dhe rrjetit primar deri tek shkëmbyesit e nxehtësisë në trafostacione. Është themeluar në vitin 1970 dhe monitorohet nga Komuna e Prishtinës.

Vizitojeni faqen e internetit

Ngrohtorja e Gjakovës

Krahas ngrohtores në Prishtinë, në vitin 2021, në qytetin e Gjakovës filloi funksionimin edhe një central i ri i kogjenerimit, i bazuar në biomasë të qëndrueshme nga mbeturinat e drurit dhe prerjet e hardhisë. Ky impiant shërben për ngrohjen qendrore për konsumatorët komercial dhe rezidencial në qytetin e Gjakovës.

Vizitojeni faqen e internetit

Akterët e tjerë të sektorit të energjisë

Ibër-Lepenci/Ujmani (hidro gjenerimi)