Skip to main content

Prishtinë, 29.03.2024 – Ministria e Ekonomisë pas përmbylljes me sukses të procesit ofertues për ankandin solar fotovoltaik (FV) prej 100 MW, ka mbajtur sot ankandin elektronik (e-Ankand) për parkun e parë solar fotovoltaik prej 100 MW.

Në ankandin elektronik kompanitë kanë ofertuar kundër ofertës më të lirë dhe përgjatë procesit të ofertimit kanë qenë katër sesione. Sesioni i parë ka qenë me 43 bida me çmim përmbyllës 57.00 euro, sesioni i dytë ka përfunduar me 35 bida dhe me çmim permbyllës 49.89 euro, sesioni i tretë ka numëruar 20 bida me çmim përmbyllës 48.88 euro, ndërkaq sesioni i katër ka përcaktuar fituesin me çmim përmbyllës 48.88 euro euro/MW h, ku fitues u shpall Konzorciumi Orllati nga diaspora jonë në Zvicër, me partnerë ndërkombëtarë e vendorë.

Kompanitë dhe konzorciumet pjesëmarrëse në ankandin e sotëm ishin 5, ato janë: Orllati (VD) SA, Çalik-Limak Rahovec SPP Constortium,  Guris Insaat ve Muhendisika A.S, Akuo Energy SAS dhe Elswedy Electric S.A.E.   

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se si qeveri synojmë e punojmë të krijojmë një sektor të energjisë që është i sigurt, që vendosë qytetarin e Republikës së Kosovës në qendër të tij, e që ecë në hap me zhvillimet botërore dhe ankandi solar 100 megavatësh është pasqyrim i këtyre synimeve.

Ai theksoi se shtimi i 100 MW të rinj në prodhimin e energjisë do ta ulë varësinë nga importi, e për realizimin e këtyre kapaciteteve kompania që do të dalë fituese do të investojë mbi 70 milionë euro, me çka e bën një ndër parqet solare më të mëdha në Evropë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli derisa foli për synimet e Qeverisë së Kosovës në modernizimin dhe përmirësimin e sektorit të energjisë tha se përmbyllja me sukses e ankandit diellor prej 100 MW, është i pari proces i tillë konkurrues, që vendos një gurthemel të sektorit të ri të energjisë në Kosovë, përmes të cilit sigurohet përballueshmëri për qytetarët, forcimi i sigurisë së furnizimit e qëndrueshmërinë e sektorit, me përfshirje të sektorit privat.

Ajo tutje shtoi se përbërja e ofertuesve me reputacion nga 6 shtete të ndryshme ka dëshmuar se objektivat tona janë arritur dhe përgjatë gjithë kohës zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë kanë pasur një dialog të hapur dhe transparent me të gjitha kompanitë e interesuara. Po ashtu ajo sqaroi se kemi pasur 10 raunde të sqarimeve dhe plotësimeve duke treguar se ankandi është prioritet për ne dhe se marrim parasysh propozimet e sektorit privat.

Kurse, U.D. Drejtoresha e Misionit të USAID-it, Kerry Monaghan Hogler deklaroi se është nder për të që është e pranishme për të shënuar edhe një hap të rëndësishëm në energji të qëndrueshme dhe të pastër, dhe përmbyllja e këtij ankandi për është mjaft domethënës.

Ajo po ashtu pohoi se USAID është krenar që ka mbështetur Qeverinë e Kosovës në realizimin e ankandit të parë solar dhe përgëzoi Ministrinë e Ekonomisë për punën e bërë në implementimin e këtij ankandi me sukses.

Ministrja Rizvanolli vlerësoi bashkëpunimin mes shumë institucioneve që përgjatë këtij procesi ka qenë kyç për sukses duke falënderuar USAID-in, ZRrE, KOSTT, MFPT-Departamentin për Ndihmë Shtetërore, Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), MMPHI e Komuna e Rahovecit.

Ankandi solar prej 100 MW përpos që do të ndikojë në sigurinë e furnizimit me energji do të ketë impakt në krijimin e vendeve të punës dhe në zhvillimin e aftësive. Pas përmbylljes së Ankandit solar prej 100 MW, i cili është i pari nga shumë ankande të tjerë të cilët pritet të shpallen duke filluar nga ai me kapacitet të erës.

Në ceremoninë e ofertimit morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe U.D. Drejtorja e Misionit të USAID-it, Kerry Monaghan Hogler, Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, si dhe ambasadorë të vendeve mike.