Skip to main content

Prishtinë, 25.05.2023 – Nën organizimin e Ministrisë së Ekonomisë (ME) dhe USAD-it është mbajtur Konferenca e Para-Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW, në të cilën konferencë hapjen e kanë bër​ë: Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ministrja Rizvanolli para të pranishmëve tha se kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme të energjisë janë çelësi për pavarësi energjetike duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik si një nevojë për vendin tonë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji, çmime të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.

Ajo potencoi se ndërtimi i këtyre kapaciteteve të reja të energjisë është shumë i rëndësishëm për nxitjen e investimeve private përmes një procesi transparent dhe konkurrues ashtu që do të sigurojë cilësi dhe çmime të përballueshme për konsumatorët tanë.

Rizvanolli shtoi se me këtë ankand të parë solar, ne do të kemi 100 MW shtesë prodhim të energjisë duke kontribuar në diversifikimin e miksit të energjisë, inovacionit dhe konkurrencës në këtë sektor e poashtu edhe në përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë.

Ky impiant solar pritet që t’i furnizojë rreth 20 mijë familje me energji të pastër, të gjenerojë vende të reja të punës, të sjellë teknologji të avancuar, dije si dhe praktika të reja në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh i kënaqur që ministrja Rizvanolli me ekipin e saj kanë arritur të nisin këtë proces. Ai tha se kjo do të shtojë përfitimet e do të zvogëlojë kostot si dhe do të shtrojë rrugën drejtë projekteve të ardhshme për energji të ripërtëritshme.

“Kemi bërë një hap madhor në sektorin e energjisë. Jam krenar që Kosova po i merr të gjitha hapat drejtë një ekonomie miqësore ndaj ambientit. Qëllimi ynë është që të krijojmë një mjedis të favorshëm për investime”, shtoi ai.

Ndërsa, ambasadori amerikan, Jeffrey M. Hovenier tha se ankandi paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në BE ku shtoi se kriza energjetike e qartësoi rëndësinë e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Më vjen mirë që po e shoh që edhe sektori privat është i përfshirë në këtë proces. Përfshirja e tyre është jetike në arritjen e qëllimeve. I përgëzoj prijësit e Kosovës për një proces transparent dhe për bashkëpunimin me sektorin privat. Ky ankand paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në BE”, tha ai.

Gjatë konferencës u shpalosën prezantime, diskutime, video informuese si dhe pati panele diskutimi nga akterë të fushës.

Në konferencë morën pjesë: Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurt dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfaqësues nga KOSTT, ZRrE, EBRD, AWESK,WEM,OEK.