Qeveria
Ministria e Ekonomisë
Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës është institucion qeveritar përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave për avancimin e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimin dhe tërheqjen e investimeve të huaja, rritjen e konkurrencës dhe një treg të besueshëm. Misioni i këtij institucioni është që të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm të burimeve të energjisë dhe minierave, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit, si dhe përmirësimin e efikasitetit në administrimin e ndërmarrjeve publike.
Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë
Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (AKEE-ja) është institucion ekzekutiv nën Ministrinë e Ekonomisë. AKEE-ja i zbaton politikat e efiçiencës së energjisë përmes vlerësimit të mundësive të kursimit të energjisë dhe zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në të gjithë sektorët e konsumit të energjisë.
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si ent i rëndësishëm i pavarur, autonom dhe i qëndrueshëm është themeluar me miratimin e Ligjit Nr.06/L-079 për Efiçiencë të Energjisë, për t’i arritur objektivat e Republikës së Kosovës për efiçiencën e energjisë duke i promovuar, mbështetur dhe zbatuar masat e efiçiencës së energjisë, si dhe duke i tërhequr dhe menaxhuar burimet financiare për financimin dhe zbatimin e projekteve investive në fushën e efiçiencës së energjisë në mënyrë të qëndrueshme.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është institucion qeveritar përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave për industrinë, ndërmarrësinë dhe tregtinë.
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA)
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) është agjenci shtetërore kosovare e mandatuar për t’i promovuar dhe mbështetur investimet, eksportin, turizmin, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe zonat e veçanta ekonomike në Republikën e Kosovës.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i mbikëqyr politikat dhe i zbaton ligjet për zhvillimin e bujqësisë, duke përfshirë blegtorinë, prodhimin e bimëve, zhvillimin rural dhe përcaktimin e standardeve për mirëmbajtje. Ajo e lehtëson zhvillimin e skemës të kreditimit për mbështetjen e bujqësisë, pylltarisë dhe aktiviteteve për zhvillimin rural në sektorin privat.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është përgjegjëse për krijimin dhe zbatimin e legjislacionit në sektorët e mjedisit, ujit, banimit, planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës. Misioni i këtij institucioni është mbrojtja e mjedisit dhe formulimi i politikave të shfrytëzimit racional të burimeve natyrore dhe ripërtëritjes së tyre.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës është agjenci e Qeverisë së Kosovës përgjegjëse për financat publike të Kosovës. Ajo e përfshinë Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës.