Korniza ligjore dhe rregullative e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës është formësuar nga anëtarësimi i Kosovës në Komunitetin e Energjisë dhe aspirata e saj për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Kosova u bë palë kontraktuese në traktatin për themelimin e Komunitetit të Energjisë me rastin e themelimit të tij në korrik të vitit 2006. Përmes anëtarësimit në traktat, palët kontraktuese dhe pararendësi i BE-së, Komunitetet Evropiane, e krijuan Komunitetin e Energjisë. Qëllimi i Komunitetit të Energjisë vazhdon të jetë krijimi i një tregu të integruar energjetik midis Bashkimit Evropian dhe palëve kontraktuese të KtE-së, që përbëhet kryesisht nga vendet fqinje të BE-së.