Nëpërmjet Strategjisë sonë të re të Energjisë 2022-2031, ankandit të parë të energjisë solare në vitin 2023 dhe Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, ne e kemi përshkruar dhe miratuar një vizion ambicioz për një Tranzicion të Drejtë të Energjisë për Kosovën që fokusohet në zhvillimin dhe zgjerimin e gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme. Objektivi ynë është që deri në vitin 2031 të mbulojmë me energji të ripërtëritshme 35% të kërkesës në vend për energji elektrike.
Portali i BRE-ve ofron një shërbim me të gjitha informatat në një vend si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj, duke u ofruar atyre informacione të përditësuara se si t’i nisin projektet dhe bizneset e tyre në energjinë e ripërtëritshme. Në të ofrohen informata praktike për mundësitë, projektet, ligjet, rregulloret, institucionet qeveritare dhe financiare dhe agjencitë ndërkombëtare aktive në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Shpresojmë që këto informata të jenë relevante dhe të dobishme për ju.
Nëse jeni duke menduar të investoni në Kosovë, ju lutemi mos hezitoni të na kontaktoni. Ekipi ynë shumë profesional është i përkushtuar që të bashkëpunojë ngushtë me ju, dhe me departamentet e agjencitë relevante qeveritare, për të siguruar qasje dhe për të ndihmuar në krijimin e bazave për suksesin e investimit dhe biznesit tuaj.
Misioni ynë është t’i promovojmë investimet strategjike për burimet e ripërtëritshme të energjisë në Kosovë dhe ta lehtësojmë tranzicionin tonë drejt një të ardhmeje me energji më të qëndrueshme, më të përballueshme dhe më të dekarbonizuar.
Ju ftojmë që të na bashkoheni në rrugëtimin tonë drejt energjisë së ripërtëritshme.