Për më shumë informata për rolin e ZRrE-së në zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, qasjuni Udhëzuesit A-Zh .
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE-ja)
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZrrE) në Republikën e Kosovës është themeluar në vitin 2004 si organ rregullator i pavarur. Funksioni kryesor i tij është që t’i rregullojë aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë, duke përfshirë energjinë elektrike, ngrohjen qendrore dhe gazin, në përputhje me obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.
Autoriteti i ZRrE-së përfshin dhënien e licencave dhe monitorimin nëse këto licenca respektohen nga kompanitë energjetike, aprovimin e tarifave për aktivitetet e shërbimeve publike, vendosjen e obligimeve për furnizimin publik, ofrimin e zgjidhjes së kontesteve dhe hartimin e akteve nënligjore për sektorin e energjisë.
ZRrE-ja është po ashtu përgjegjëse për krijimin e kornizës rregullative, e cila siguron funksionimin transparent dhe jodiskriminues të tregut të energjisë, duke u bazuar në parimet e tregut të lirë. Ajo zbaton kritere transparente dhe të hapura për dhënien e licencave për ndërmarrjet energjetike, duke përfshirë autorizimin për të dhënë, modifikuar, pezulluar, transferuar, tërhequr, mbikëqyrur dhe kontrolluar nëse ndërmarrjet energjetike veprojnë në përputhje me licencat dhe obligimet që i kanë marrë.
- ZRrE-ja gjithashtu ka kompetenca për t’i caktuar paraprakisht parimet dhe metodat e vënies së çmimit dhe për t’i miratuar më vonë tarifat për shërbimet e rregulluara të energjisë.
- ZRrE-ja është themeluar si autoritet i pavarur dhe funksionon në bazë të legjislacionit të detajuar për energjinë primare dhe sekondare. ZRrE-ja e bën rregullimin ekonomik të sektorit, ndërsa Bordi i saj i raporton Kuvendit të Kosovës.
- ZRrE-ja lëshon licenca për këto veprimtari: prodhimin e energjisë elektrike, operatorin e sistemit të transmisionit, operatorin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike, operatorin e tregut, furnizimin publik me energji elektrike, importimin dhe eksportimin e energjisë elektrike, prodhimin e ngrohjes qëndrore, shpërndarjen e ngrohjes qëndrore, furnizimin publik të ngrohjes qëndrore dhe kogjenerimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes.