Kosova e ka caktuar si prioritet modernizimin dhe përmirësimin e sektorit energjetik të vendit dhe po bashkëpunon ngushtë me partnerët për zhvillim, duke përfshirë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID-in, Komisionin Evropian, Bankën gjermane për investime dhe zhvillim – KfW-në, Bankën Botërore, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZh-in dhe Korporatën Financiare Ndërkombëtare – IFC-të, si dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë dhe sektorin privat, për t’i arritur këto objektiva të rëndësishme.
Zhvillimi dhe investimet e udhëhequra nga sektori privat, të mbështetura nga politika e shëndoshë e qeverisë dhe një mjedis mikpritës që mundëson biznes, janë kritike për zgjerimin dhe suksesin afatgjatë të energjisë së ripërtëritshme.
Qeveria e Kosovës së fundi ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorin e energjisë elektrike, me qëllim të liberalizimit dhe zhvillimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë. Përmes Strategjisë së re të Energjisë 2022-2031 dhe Projektligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë Kosova është në proces të krijimit të një baze ligjore të re për rritjen e investimeve të sektorit privat në burimet e ripërtëritshme.
Portali i Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë ofron një shërbim gjithëpërfshirës të informatave të mbledhura në një vend për investitorët dhe zhvilluesit lidhur me mundësitë e energjisë së ripërtëritshme të Kosovës. Në këtë portal ofrohen informacione të përditësuara për legjislacionin, rregulloret dhe procedurat në fuqi, si dhe vegëza me akterët kryesorë të sektorit të energjisë.